Ekopolitikë- Legalizimet, a kanë fund?
18.01.2017 13:09
Përditesuar: 18/01/2017, 13:13

Qeveria miratoi së fundi vendimin për legalizimin e shtetasve të pallateve.

Ky është procesi më i ri i legalizimeve që përfshin rreth 30 mijë qytetarë. Zv/ministri i Zhvillimit Urban Alfred Dalipi i ftuar në emisionin ‘Ekopolitikë” të Ora News thotë se ndërtuesit që kanë ndërtuar shtesa pa leje janë përfshirë në “listën e zezë” tek pushteti vendor.

Gert Shella, nga shoqëria civile thotë se legalizimet po shndërrohen në zakon, ndërsa Dritan Shutina, drejtor ekzekutiv i CoPlan thotë se ky proces duhet të marrë fund dhe qeveria duhet të vendosë një proces fundor.

Arben Dervishi nga shoqata e ndërtuese mendon se procesi u vjen në ndihmë qytetarëve, ndërsa makroeditori i gazetës Shekulli, Elton Metaj shprehet se gjithçka bëhet për fushatë.

Dalipi: Legalizimet në zonat informale mbyllen plotësisht në qershor

Pjesë nga intervista:

Dalipi: Ndërtuesi që ka bërë shtesën do të paguajnë taksën tek njësia vendore. Legalizimet janë për të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje. Ne kemi marrë në shqyrtim dhe kemi dhënë legalizimin për këto kategori që është shumë e madhe. Ndërtuesi që ka bërë shkelje do të paguajnë taksën për ato hapësira që ka ndërtuar pa leje.

Shella: Leja erdhi pa pritur. Po legalizoni jo nevojën por luksin. Po gjendet nevoja legjitime e të varfërve dhe duket sikur mbi këtë nevojë, kemi tashmë një legalizim të shtesave. Për mua është befasi e pakëndshme.

Dervishi: Legalizim shtesash është bërë që nga viti 2005 që doli ligji. Ajo që i vjen në ndihmë qytetarit në ato objekte ku ndërtuesi ka falimentuar dhe nuk ekziston më. Nuk është se ka filluar sot. Legalizimi i shtesave ka vazhduar dhe vazhdon.

Dalipi: Një pallat i cili ka gjurma ka devijuar 10 cm. Për këto 10 cm nuk e merr njësia vendore dhe për këtë nuk mund ta regjistrojë. Janë tipologji të ndryshme, duke përjashtuar vetëm ato që janë në konflikte gjyqësore dhe bien ndesh me plane. Ne nuk kemi për të legalizuar gjithçka. Që nga shtatori i 2013-s, atje ku ka pasur projekte publike dhe ka pasur ndërtime pa leje, kemi prishur rreth 3 mijë të tilla. Jemi futur në një fazë ku bashkitë po miratojnë planet vendore që kanë parashikuar zhvillimet për 20 vite.

Shella: Si ka mundësi që në kushtet kur edhe për shkak të garës së sforcimit urban, përsëri në Shqipëri diskutohet edhe çështja e legalizimeve. Në Tiranë flitet edhe për hapësirat e fundit që kanë mbetur në qytet. Për mua është një apologji e dështimit të radhës së kontrollit të territorit.

Dervishi: Janë objekte para 2010-s.

Shutina: Vendosni një kohë fundore kur mbaron legalizimi. Jemi futur në pjesën e një rrjedhje me qëllim të pakontrolluar. Ligji i mëparshëm ishte deri në 2009-n, ju e shtytë deri në 2014-n. Ne po krijojmë precedentë. Ka ndërtime pa leje tani në të gjithë territorin. Ka vajtur në 500 mijë numri i ndërtimeve.

Dalipi: Flasim për ndërtesa kolektive mbi 5 kate dhe që nuk janë ndërtuar vitet e fundit.

Shutina: E nisi qeveria me vendosjen e autoritetit por nuk ishte konsekuente. Duhet të ishte po aq konsekuente në procesin fundor të legalizimeve. Është procesi më i thjeshtë për t’u evidentuar shtesa e pallateve. Pse nuk i evidentoni siç keni shembur ndërtesat e fukarenjve.

Dalipi: Jemi marrë vetëm me analizat e territorit që do të thotë ku dhe si. ALUIZNI ka një listë për të gjithë territorin të ndërtuesve që kanë shkelur ligjin. Këta janë në listat e zeza të njësive vendore dhe organeve tatimore. Pa shlyer detyrimet që kanë lidhur me këto objekte, nuk do të vazhdojnë aktivitetin.

Shutina: Ne po institucionalizojmë ilegalitetin. Ku është shkelur kjo leje? Ka një përgjegjësi të qartë.

Shella: Unë bie dakord me atë që ka një përgjegjësi me atë që nuk vepron që u detyron juve të bëni legalizimin e radhës.

Dervishi: Kjo VKM nuk shton ndërtimet, por janë për një grup që nuk janë zgjidhur nga VKM-të e mëparshme.

Shutina: Në këto zgjedhje do kemi premtimin e radhës se do të shtyhet afati i legalizimit. Gafa është bërë dhe do të përsëritet. Ky është një proces që udhëhiqet nga politika. Është kthyer në një objektiv në fushatë kush legalizon më shumë.

Metaj: Çdo devijim nga leja është shkelje ligji dhe nuk mund të justifikohet askush. Pse ky vendim vjen sot? Jemi 5 muaj larg zgjedhjeve dhe duket se ka lidhje me procesin e zgjedhjeve. Një qeveri serioze duhet të merrte kohë dhe të shpallte një qëllim final për legalizimet. Lënia e këtij procesi hapur, është si ajo plaga që lë mjeku hapur. Qeveria lë 30 mijë njerëz të kënaqur dhe opozita nuk kundërshton që të mos i mërzisë.

Duket se ka një lobim të qartë nga ndërtuesit. Ata që kanë ndërtuar asnjëherë la leje, sot duhet të ndihen të mërzitur. Qeveria shqiptare duhet t’u shpjegojë këtyre njerëzve. Kur ka zgjedhje do të ketë edhe premtime të pa kontrolluara dhe kjo temë ka vota. Do të kemi plagë të hapur dhe çdo qeveri do të vijë të hedhë pak alkool, si ai mjeku që lë plagën e hapur.

Dalipi: Legalizimet në zonat informale mbyllen plotësisht në qershor

Dalipi: Për ta konfirmuar, deri në qershor ne mbarojmë legalizimin e ndërtesave informale. Këtë mund ta them. Deri në qershor mbarohet tërësisht legalizimi i ndërtesave në zonat informale. Pa dyshim do të zbatohet ligji dhe të gjitha aktet nënligjore që i kemi nxjerrë vite më parë. Brenda këtij viti të mbyllim një proces për zonat informale, sepse këto kanë ecur paralelisht dhe me planet vendore. Janë një element që ndikojnë dhe ndihmojnë në urbanizimin e tyre.

/Ora News/

 

 

Komento